Dashuria dhe shkrimi
Dashuria si ngjarje gjuhësore te Seferi
Përshkrim i shkurtër
Kjo ligjëratë shqyrton dashurinë e Giorgos Seferit dhe Maros si një fushë në të cilën mungesa, shtyrja dhe asinkronia shndërrohen në gjuhë. Hipoteza qendrore është se të shkruarit nuk funksionon si regjistrim i thjeshtë i ndjenjës, por si mënyrë ekzistence brenda distancës.
Rezultatet e të nxënit
Në fund të kësaj ligjërate, studentët do të jenë në gjendje:
• të analizojnë letërkëmbimin si tekst letrar;
• të interpretojnë mungesën si kusht krijues;
• të shpjegojnë asinkroninë si përvojë të kohës dhe të dashurisë;
• të përfytyrojnë (perceptojnë) Maron si qenie të brendshme dhe bashkëbiseduese shpirtërore të poetit;
• të krahasojnë ligjërimin e shkruar dhe atë të folur si forma përjetimi të përvojës erotike.
Përmbajtja
• Hyrje: Dashuria si ngjarje gjuhësore
• 1. Gjeografia e mungesës
• 2. Shkrimi si akt mbijetese
• 3. Asinkronia
• 4. Maro si qenie e brendshme
• 5. Papërmbushja si forcë krijuese
• 6. Letërkëmbimi si laborator letrar
• Veprimtari
• Bibliografia dhe të drejtat e autorit
Hyrje: Dashuria si ngjarje gjuhësore
Marrëdhënia e Giorgos Seferisit me Maro Seferisin nuk mund të kuptohet si një episod i thjeshtë biografik, as si një rrëfim romantik periferik i veprës së tij. Përkundrazi, bëhet fjalë për një ngjarje që hyn në vetë thelbin e shkrimit të tij. Dashuria këtu nuk i paraprin gjuhës si një përvojë e plotë që më pas shprehet; ajo ndërtohet përmes gjuhës, përmes pamundësisë së pranisë së drejtpërdrejtë.
Distanca, pritja, vonesa e komunikimit dhe mospërputhja e çasteve krijojnë një fushë në të cilën shkrimi bëhet i domosdoshëm. Seferisi nuk shkruan sepse e përjeton dashurinë si plotësi, por sepse nuk mund ta përjetojë atë drejtpërdrejt. Mungesa nuk është rrethanë anësore; ajo është themeli i përvojës. Kështu, shkrimi funksionon jo si shprehje, por si zëvendësim: si vendi ku tentohet të ekzistojë ajo që nuk mund të ekzistojë ndryshe.
Gjeografia e mungesës: Korça si peizazh ekzistencial
Korça, gjatë periudhës së shërbimit diplomatik të Seferisit, merr një kuptim që e tejkalon gjeografinë. Ajo nuk është thjesht një vend jashtë qendrës, por një hapësirë ku vetë përvoja e jetës shfaqet e vonuar dhe e larguar. Poeti përjeton ndjesinë se jeta zhvillohet diku tjetër dhe se ai i qaset asaj vetëm pas ngjarjes.
Mungesa e Maros e shndërron rrënjësisht këtë hapësirë. Qyteti nuk është më vetëm i huaj; ai bëhet peizazh privimi. Përditshmëria nuk e mbush zbrazëtinë, por e bën atë më të fortë. Kështu, Korça shndërrohet në hapësirë psikike, në një gjeografi të mungesës, ku bota përjetohet jo si tërësi sendesh, por si tërësi mungesash.
Distanca nuk është rrethanë e jashtme; ajo bëhet vetë përmbajtja e përvojës.
Shkrimi si akt mbijetesel
Brenda kësaj gjendjeje, shkrimi merr karakter domosdoshmërie. Letra drejtuar Maros nuk është një akt komunikimi në kuptimin e thjeshtë të fjalës, por një akt mbijetese. Seferisi shkruan për të ruajtur koherencën e vetvetes, që të mos shpërbëhet brenda monotonisë dhe izolimit.
Letra funksionon si hapësirë ndërmjetëse, ku tjetri bëhet i pranishëm në një mënyrë të veçantë. Nuk kemi të bëjmë me prani reale, por as me mungesë të plotë. Është një formë ekzistence që mbështetet te gjuha. Materialiteti i korrespondencës/letërkëmbimit — letra, shkrimi i dorës, zarfi — fiton rëndësi të veçantë, sepse mbart gjurmën e tjetrit.
Pritja e letrës merr një intensitet pothuajse trupor. Koha organizohet rreth mundësisë së mbërritjes së një letre. Jeta matet sipas komunikimit. Në këtë gjendje, shkrimi nuk është thjesht akt; është mënyrë për të mbetur i lidhur me botën.
Asinkronia: koha si përvojë ndarjeje
Një nga elementet më të thella të kësaj përvoje është asinkronia. Shprehja “këtu është ora gjashtë, në Athinë shtatë” nuk përbën një informacion neutral, por një përqendrim të përvojës së ndarjes. Koha nuk është e përbashkët; nuk ekziston një e tashme e vetme që ta ndajnë dy njerëzit.
Seferisi përjeton ndjesinë se ndodhet vazhdimisht “pas” jetës së Maros. Gjithçka që ndodh, mbërrin tek ai me vonesë. Gjithçka që ai shkruan, do të lexohet më vonë. Përvoja nuk është e njëkohshme. Kjo krijon një çarje të thellë në mënyrën se si përjetohet koha.
Letërkëmbimi përpiqet ta kapërcejë këtë çarje, duke krijuar një sinkronizim imagjinar. Megjithatë, kjo përpjekje mbetet, nga vetë natyra e saj, e paplotë. “E tashmja e përbashkët” nuk arrihet kurrë plotësisht. Pikërisht kjo pamundësi prodhon gjuhën. Asinkronia nuk është pengesë e marrëdhënies; ajo është mekanizmi që e bën marrëdhënien krijuese.
MARO SI QENIE E BRENDSHME
Ndërsa distanca vazhdon, figura e Maros shndërrohet. Ajo nuk mbetet thjesht një person i jashtëm që mungon, por bëhet qenie e brendshme. Kujtesa, pritja dhe dëshira ndërtojnë një formë bote të brendshme, brenda së cilës Maro funksionon si pikë e qëndrueshme orientimi.
Në njëfarë mënyre, ajo shndërrohet në një “atdhe” të brendshëm. Ajo nuk është thjesht personi që dashurohet, por korniza brenda së cilës bota merr kuptim. Mungesa e saj nuk çon në zbrazëti; çon në shndërrim të përvojës. Bota e jashtme mund të mbetet e ftohtë dhe e palëvizshme, por jeta e brendshme ruhet aktive.
PAPËRMBUSHJA SI FORCË KRIJUESE
Dashuria te Seferisi nuk përmbushet kurrë plotësisht. Ajo mbetet në një gjendje tensioni dhe shtyrjeje. Privimi nuk funksionon si dobësi, por si forcë lëvizëse. Dëshira nuk shteron; ajo intensifikohet.
Gjuha lind brenda këtij tensioni. Të shkruarit nuk është regjistrimi i një përjetimi të përfunduar, por përpjekja për të mbuluar një zbrazëti që mbetet e hapur. Ndjenja e papërmbushurra nuk është dështim i dashurisë; ajo është parakushti i krijimit.
Letërkëmbimi si laborator letrar
Letrat e Seferisit nuk kanë vetëm vlerë biografike. Ato përbëjnë një hapësirë ku mund të ndjekim procesin e shkrimit. Nëpërmjet tyre shfaqen dyshimet, luhatjet, tensionet, por edhe elementet e përditshme të jetës që shndërrohen në ligjërim.
Poezia nuk lind jashtë përditshmërisë, por brenda saj. Letërkëmbimi funksionon si laborator, ku përvoja provohet, formulohet dhe përpunohet. Kështu, leximi i tij nuk e çmitizon veprën; përkundrazi, e ndriçon atë në një thellësi më të madhe.
Veprimtari
Veprimtaria 1: Nga shkrimi te zëri – Analizë e përvojës erotike
Lloji i veprimtarisë: Individuale
Kohëzgjatja: 25 minuta
Materiali
Fragment nga një letër e Giorgos Seferit drejtuar Maro Seferit (1937):
“Mungon dhe të kërkoj; ti je e gjithë jeta ime. Është e vështirë të të bëj ta kuptosh tani. Nëse ndodh pas vitesh, dhe nëse Zoti e jep që të mund ta them këtë kthesë pasionale, do të them sa shumë është bërë një me jetën time.
Sot është një ditë, pas muajsh, kur e lë përsëri zemrën time të flasë, të them këto fjalë dashurie me lot në sy, e dashura ime.
Shkruaj ngadalë dhe mendoj për ty. Të mendoj ty ashtu siç jeton brenda meje, shkon, vjen dhe i paraprin çdo mendimi tim.
Ku je? Si je? Çfarë po bën në këtë çast?
Nesër ndoshta do të të kem pranë. Të dua pranë meje përgjithmonë.”
Podcast (LiFO): https://www.lifo.gr/podcasts/meres/lagnes-meres-stin-albania
Udhëzime për studentët
Lexoni me kujdes fragmentin e mësipërm të letrës. Më pas dëgjoni një fragment të shkurtër nga podcast-i. Gjatë dëgjimit, përqendrohuni:
• te toni i zërit;
• te pauzat;
• te ritmi i ligjërimit.
Pyetja
Përgjigjuni me një tekst prej 150–200 fjalësh: Si shndërrohet përvoja e dashurisë kur kalon nga letra e shkruar në rrëfimin zanor?
Në përgjigjen tuaj merrni parasysh:
• intensitetin e mungesës;
• funksionin e zërit;
• marrëdhënien midis heshtjes dhe fjalës.
Qëllimi i veprimtarisë
Veprimtaria synon:
• të kuptohet dallimi midis të shkruarit dhe të folurit;
• të nxirret në pah mungesa si përvojë e jetuar;
• të lidhet teksti letrar me mediumin bashkëkohor zanor.
Kriteret e vlerësimit
• Kuptimi i fragmentit;
• aftësia për të krahasuar ligjërimin e shkruar dhe atë gojor;
• qasje interpretuese, jo përshkrim i thjeshtë;
• qartësi gjuhësore dhe koherencë.
Veprimtaria 2: Zhvillim interpretues – Asinkronia në dashuri
Lloji i veprimtarisë: Punë individuale
Kohëzgjatja: 25–30 minuta
Tema
“Përvoja e asinkronisë në dashurinë e Seferit nuk përbën pengesë, por parakusht të shkrimit.”
Udhëzime për studentët
Zhvilloni temën e mësipërme në një tekst të shkurtër prej 200–250 fjalësh. Në përgjigjen tuaj:
• shpjegoni çfarë do të thotë “asinkroni” në kontekstin e mësimit;
• referojuni marrëdhënies midis kohës dhe distancës;
• tregoni se si vonesa e intensifikon gjuhën dhe dëshirën.
Teksti duhet të ketë strukturë të qartë: hyrje, zhvillim dhe përfundim, dhe të mbështetet në konceptet e analizuara gjatë mësimit.
Kriteret e vlerësimit
• Kuptimi i konceptit të asinkronisë;
• aftësia për interpretim dhe jo për përshkrim të thjeshtë;
• struktura dhe koherenca e ligjërimit;
• përdorimi i koncepteve të mësimit.
Veprimtaria 3: Shkrim përjetues – Prania përmes mungesës
Lloji i veprimtarisë: Individuale, krijuese
Kohëzgjatja: 15–20 minuta
Udhëzime për studentët
Shkruani një tekst të shkurtër, prej 5–6 rreshtash, në formë letre drejtuar një personi që nuk është i pranishëm, real ose i imagjinuar.
Qëllimi është të përpiqeni:
• të krijoni ndjesinë e pranisë përmes mungesës;
• të përdorni një gjuhë të kursyer dhe të përmbajtur;
• të tregoni se si dëshira shprehet pa kontakt të drejtpërdrejtë.
Qëllimi i veprimtarisë
Veprimtaria synon:
• të kuptohet shkrimi si akt mbijetese;
• të qaset përjetimisht koncepti i mungesës;
• të lidhet teoria me përvojën personale.
Veprimtaria 4: Sintezë – Dashuria si kusht krijues
Lloji i veprimtarisë: Individuale ose në grupe të vogla
Kohëzgjatja: 20 minuta
Udhëzime për studentët
Përgjigjuni shkurt, në rreth 150 fjalë, pyetjes: A mund të jetë mungesa më krijuese se prania?
Në përgjigjen tuaj:
• lidhni dashurinë me të shkruarit;
• përdorni shembuj nga mësimi;
• formuloni një qëndrim personal interpretues.
Kriteret e vlerësimit
• Aftësia për sintezë;
• origjinaliteti i mendimit;
• lidhja midis teorisë dhe shembullit.
Bibliografia
Burime parësore
• Giorgos Seferis, Ditët.
• Giorgos Seferis, Poezi.
• Giorgos Seferis, Letra.
• Seferis dhe Maro – Letërkëmbim.
Bibliografi dytësore
• Roderick Beaton, George Seferis: Waiting for the Angel.
• Mario Vitti, Brezi i viteve ’30.
• Giorgos D. Panagiotou (red.), Giorgos Seferis, Letra drejtuar motrës së tij Ioanna (1934–1939).
• Michalis Z. Kopidakis, tekste hyrëse dhe editoriale në letërkëmbimin Seferis–Maro.
Burime digjitale
• LiFO, “Ditët” e Giorgos Seferit në podcast.
• LiFO, “Ditë epshore në Shqipëri”.
• Dokumentacioni i Open eClass, seksioni “Informacione të kursit”.
• Ligji 2121/1993, sidomos nenet 19 dhe 21 për citimin e fragmenteve dhe përdorimin për mësimdhënie.
Material plotësues multimedial
LiFO, “Ditë epshore në Shqipëri”, në serinë “Ditët” e Giorgos Seferit në podcast. Materiali gjendet në faqen zyrtare të LiFO: https://www.lifo.gr/podcasts/meres/lagnes-meres-stin-albania
Shënim për të drejtat e autorit
Materiali multimedial përdoret vetëm për qëllime arsimore përmes referimit te burimi zyrtar. Të drejtat e autorit u përkasin krijuesve dhe mbajtësve ligjorë të veprës. Nuk lejohet riprodhimi ose rishpërndarja e materialit jashtë kuadrit të mësimdhënies pa leje.
Shënim didaktik: Mësimi është organizuar në mënyrë që të ndërthurë analizën teorike, përvetësimin dëgjimor dhe shkrimin krijues.






Sofia Deligeorgi, Professor, Head of the Department of Greek Language, University of Tirana
Amalia Rontou-Gorou, Lecturer, National and Kapodistrian University of Athens